“Bleta”, model edhe për komunat e tjera
02 Gusht 2015
Aktivitetet e kësaj shkolle janë përmbyllur në fundjavë me një ceremoni të organizuar në oborrin e shkollës në fshatin Llanisht. Në hapësirën e brendshme të shkollës ishin vendosur punimet e nxënësve që kanë punuar në lëmin e artit figurativ, gjuhës shqipe, matematikës dhe gjuhës angleze. Megjithëse binte shi, në këtë vend malor nuk e pati penguar ardhjen e zëvendësministres së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci - Demaj, e cila shoqërohej nga këshilltari për arsimin parauniversitar, Azem Guri dhe këshilltari për planifikim dhe financa, Petrit Kelmendi, të cilët së bashku panë nga afër punën dhe aktivitetin e Shkollës Verore “Bleta”.
Krahas përfaqësuesve të lartë të MASHT-it, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, së bashku me drejtorë dhe zyrtarë të tjerë komunalë.
Drejtoria Komunale e Arsimit kishte përgatitur një tendë në të cilën janë shpalosur sfidat dhe të arriturat e shkollës verore. Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes, ka sqaruar se ky ishte projekti i parë i kësaj natyre, i cili është organizuar për shkollat e mesme të ulëta në Republikën e Kosovës. Ai ka thënë se ndihej më krenar që ky projekt ishte realizuar më shumë sukses. “Vërtet puna juaj ngjason në punën e bletës, përderisa edhe vetë shkolla verore për dhjetë ditë e ka mbajtur emrin ‘Bleta’. Rezultatet që pamë na bënë të ndihemi krenarë për ju si nxënës që ju kemi. Dua ta falënderoj shumë përkushtimin e mësimdhënësve që keni pasur në asistimin e punës tuaj dhe përkushtimin e tyre. Kjo ka qenë një përvojë e mirë dhe e re për ju, ka qenë një beneficion, ka qenë një fitore për ju sepse jeni nxënësit e parë në Republikën e Kosovës që e keni shijuar shkollën verore. Njëkohësisht, ju i keni dhënë shumë shoqërisë, në këtë rast komunës sonë, njëkohësisht keni vendosur gjurmët edhe për të gjithë kolegët dhe shoqërinë e juaj anekënd Kosovës”, ka thënë Ismajli. Sipas tij, kjo shkollë ka qenë angazhim, sakrificë dhe punë e palodhshme e të gjithëve e, po ashtu, ka qenë një mundësi, një shans për ta testuar vetveten. “Sigurisht po ta shtronim një pyetje për ju para se të fillonte shkolla, për 10 ditë çka do të mbërrini të punoni, çfarë rezultate pritni nga vetja juaj? Jam i bindur shumë se secili do të thoshte jo më pak se 50- përqindëshin që e kanë thënë. Do ta kishit thënë nga modestia, do ta kishit thënë nga ajo se jemi në fazat e projektimit të asaj. Po e keni parë se puna e përditshme, asistimi i mësimdhënësve, ka zgjuar kreativitetin, i cili ka ekzistuar në kokën tuaj. Realisht, atë që e pamë nga arti, matematika, gjuha dhe letërsia shqipe, gjuha angleze, e gjitha ka qenë me të vërtetë një imagjinatë e juaja, e cila ka qenë e fjetur deri dje, por sot e shkruar në letër. Të gjithë atë pjesë të imagjinatës, të cilën nuk e kini pasur të shkruar në letër, askush nuk kishte ditur, askush nuk kishte mundur ta lexonte, por edhe ju do ta harronit”, ka thënë Ismajli.
Ismajli ka thënë se puna e nxënësve e ka bërë krenar dhe të besojë shumë te ta. “Besoj se nesër institucionet do të kenë lider, do të kenë udhëheqës të mirë. Falënderim i veçantë për mësimdhënësit dhe për gjithë grupin koordinues të shkollës verore që ju ka mbështetur. Falënderojmë drejtorin e Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit, Halim Hyseni, i cili me bashkëpunëtorë ka qenë i pandashëm në asistim, në dhënien e ideve dhe mendimeve”, ka deklaruar Ismajli.
Zëvendësministrja e MASHT-it, Anila Statovci-Demaj, ka thënë se kjo është shkolla e parë e llojit të tillë, e cila është organizuar në Republikën e Kosovës. “Nxënësit kanë pasur drejtimin e duhur me mësimdhënësit e tyre dhe kanë treguar gatishmërinë që bashkë të krijojnë diçka të përbashkët që është gjithherë shumë më shumë se vetëm kreativitet individual. Çfarë më bëri përshtypje shumë është se keni treguar inteligjencën në punimet e ndryshme nga matematika, me ç’rast keni vërtetuar edhe në praktikë teorema të ndryshme ose keni zbuluar çfarë është paradoksi. Nga gjuha shqipe keni përshkruar elemente të gjuhës dhe shumë ishte interesant një temë që e pashë aty që nuk e diskutuam: ‘Çfarë do të thoshte jeta po të të dëgjonte?’ Ju përgëzoj për këtë temë. Një kreativitet i jashtëzakonshëm dhe shpirtëror i ideve të ndryshme ishte realizuar në punimet e juaja artistike. Me këtë keni treguar sukses shembullor. Pra, kjo është një shkollë shumë e suksesshme, e cila do të na shërbejë si model për shkollat e ardhshme verore në Republikën e Kosovës dhe Ministria e Arsimit vetëm do t’ju përkrahë në aktivitete të tilla në çdo kohë”, ka theksuar zëvendësministrja Demaj.
Edhe drejtori ekzekutiv i Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit, Halim Hyseni, ka theksuar se Shtimja po e shkruan një histori të suksesit, qëllimi i së cilës është që në vitin 2018-2019 të ketë një arsim parauniversitar më të avancuar në rajon dhe që Shtimja të shndërrohet në një shtëpi të madhe të të nxënit dhe krijimit. “Shumëkush mendon se kjo është e parealizueshme. Kjo është një ëndërr, të cilën Komuna e Shtimes e ka vendosur në Planin e Zhvillimit Strategjik. Të gjitha këto të arritura dhe të gjitha këto ide dhe angazhime janë të kryetarit të Komunës së Shtimes”, ka thënë profesori Hyseni.
Në përmbyllje të Shkollës Verore “Bleta”, drejtori Komunal i Arsimit, Harullah Ademaj dhe koordinatorja e këtij projekti, Roberta Bajrami, kanë dhënë certifikata për vijuesit e kësaj shkolle.
<< prapa