Cilësia e dobët e arsimit, fillon nga klasa e parë

08 Nëntor 2014

Kështu thonë ekspertë të arsimit, sipas të cilëve, arsimimi bazik cilësor është në funksion të zhvillimit njerëzor.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, duke përmendur disa nga dëshmitë e nivelit të ulët arsimit, pohon se në këtë fushë ndikon edhe mësimdhënia, plan programet e ngarkuara dhe cilësia e teksteve që iu jepen në përdorim fëmijëve.

 

“Ka shume dëshmi, se testimet, matjet që janë bërë në klasën e pestë para disa vitesh e të cilat janë ndërprerë, është konstatuar se vetën 40 për qind të nxënësve kanë arritur të kalojnë pragun minimal në gjuhë shqipe”.

 

“Vetëm 25 për qind të nxënësve kanë arritur të kalojnë pragun minimal në matematikë.  E dihet çfarë rëndësie ka matematika për të ardhmen dhe çfarë rëndësie ka gjuha për ardhmen të kombit, qytetërimit dhe civilizimit”, tha Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

 

Edhe pse në Kosovë nuk ka ndonjë analizë të detajuar që flet në mënyrë të argumentuar për cilësinë në këtë nivel, disa hulumtime të bëra rezultojnë më cilësi të dobët të arsimit thotë Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës.

Disa teste të mëhershme që janë bërë në përfundim të klasës se pestë kanë treguar se nxënësit kanë probleme në matematikë, kurse sipas disa hulumtimeve në fushën e leximit, sipas Pupovcit,  rezultojnë se ka probleme serioze me lexim në klasën e dytë dhe të tretë.

 

“Nëse në këtë periudhë fëmijët nuk i nënshtrohen një edukimi cilësor, atëherë me siguri që mangësitë që ndërtohen tek ata do të reflektohen edhe në vitet e më vonshme”.

 

“Për shembull në fushën e leximit, në këtë periudhë mësohet tek njeriu,  zhvillohet të kuptuarit e asaj që lexon, interpretimi, aftësia për të lexuar në mënyrë kritike.Nëse kjo nuk arrihet deri në moshën 10 vjeçare pastaj fëmija – më vonë edhe njeriu i rritur ka problem me leximin vazhdimisht”, ka theksuar Pupovci.

 

Pupovci,  konsideron se problemi kryesor i cilësisë se dobët në shkollën fillore mbetet tek mësimdhënësit, pasi që ata punojnë në mënyrë të pavarur dhe nuk mund të varen gabimet eventuale të tyre. Sipas tij nuk ekziston ndonjë organizim i cili i ndihmon mësimdhënësit të përmirësohen.

 

“Po të ishte mësimdhënia si duhet, atëherë edhe pa libra apo me libra të cilësisë shumë të ulët, mund të arrihen rezultate të mira, sepse mësuesi i mirë krijon materiale, kërkon materiale shtesë në internet dhe ato ua vë në dispozicion fëmijëve”, ka shtuar Pupovci.

 

Edhe Halim Hyseni, shprehet se në institucionet e larta të arsimit nuk bëhet përgatitja e nevojshme e mësimdhënësve që të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë se arsimit në nivelin e ciklit të parë.

 

Ndryshe, autoritetet kompetente vazhdimisht cilësinë në arsim e kanë shpallur si prioritet, e që sipas ekspertëve deri më tani nuk është treguar asnjë rezultat.

 

<< prapa