Cilësia e dobët e edukimit dhe e arsimit, burim i të gjitha të këqijave të Kosovës

02 Mars 2015

 

Shkruan: Halim Hyseni

 

 

Ikja e mbuluar me  mjegullnajë

 

 

Shumë vendor dhe ndërkombëtarë me deklarata e tyre po bëjnë gara kush më shumë dhe kush me qartë të shpjegojnë shkaqet e ikjes masive të qytetarëve nga Kosova. Mendje të ndritura, politikanë me renome ndërkombëtare, intelektual të shquar shqiptarë, analist, ekonomistë, jurist në këtë garë të mendjehollësisë së tyre na thanë shumë çka. Ata thanë se ikja është bërë nga mungesa e vijave perspektive, nga gjendja e rëndë ekonomike, nga papunësia, krimi i organizuar, nepotizmi, politizimi i skajshëm i jetës duke ndërtuar parti –shtet e jo duke ndërtuar shtet ligjor dhe demokratik. Në vend se çështja të qartësohet, çështja e ikjes së qytetarëve nga Kosova është mbuluar me një mjegullnajë, nebulozë akoma më të madhe.

 

Më duhet të kërkoj falje lexuesve të kësaj gazete për ca shprehje dhe mendime që nuk janë pjesë e natyrës time, e as e profesionit tim jetësor, por që në këtë shkrim do i përdori. Së pari duhet ta them se budallenjtë gjërat e thjeshta i bëjnë të ngatërruara, ndërsa të mençurit gjerat e ndërlikuara i bëjnë të thjeshta. Në Kosovë, lidhur me çështjen e ikjes së njerëzve tanë nga Kosova si nga ferri, pikërisht kjo po ndodhë. Thuhet se njerëzit po ikin sepse gjendja ekonomike është e keqe. Ky konstatim nuk është shkaku kryesor, sepse po ikin edhe njerëzit dhe familjet që kanë shitur shtëpitë tri katëshe që nuk e kanë gjendjen ekonomike të keqe. Thuhet se nga Kosova kanë ikur ata që nuk kanë punë. Edhe kjo nuk është ashtu siç de facto thuhet. Kanë ikur edhe ata që kanë qenë në punë dhe që kanë pasur paga goxha të mira. Pra edhe ky nuk është shkaku kryesor. Thuhet se ikja po bëhet për shkak të varfërisë . Edhe kjo nuk është e vërtetë se po ikën shtresa e mesme, jo shtresa e varfër.

 

Zotëri, kryeministër keni më shumë ndjesi për qytetarët tuaj!

 

Po thuhet se krimi i organizuar, nepotizmi, korrupsioni janë shkaku kryesor. Edhe kjo nuk qëndron, sepse ata që po e lëshojnë vendlindjen, pragun e shtëpisë nuk janë të rrezikuar në shtëpitë e tyre. Ata më shumë janë të rrezikuar nga rruga të cilin e kanë zgjedhur. Të kujtojmë vetëm 18 të mbyturit në lumin Tisa para ca vitesh, apo qytetarin e vdekur nga komuna e Ferizajt në kufirin e Hungarisë, apo vajzën e vdekur para disa ditësh në strehimoren në Hungari. Më duhet publikisht ta them, se jam i neveritur me deklaratën e kryeministrit, i cili pa asnjë ndjenjë keqardhje fajëson prindërit që kanë marrë këtë rrugë dhe nuk gjen të arsyeshme të shkojë e të ngushëllojë familjen, sepse i nderuari kryeministër nuk është zgjedhuar për t’u shitur mend qytetarëve, por që t’i përfaqësojë dhe t’i mbroj interesat e tyre. Po thuhet se ikja po bëhet për shkak të getoizimit të qytetarëve të Kosovës. As kjo nuk është e saktë, sepse qytetarët e Kosovës nuk mund të gjejnë ngrohësi më të madhe se sa në shtëpinë e tyre dhe në gjirin familjar. Po thuhet se shqiptarët po ikin nga Kosova për shkak të mungesës së vijave perspektive. Mungesa e vijave perspektive është pasojë e dhunës strukturore apo indirekte – shkaktari i vërtetë i të cilës për viktimat nuk është i njohur.

 

Edukimi dhe arsimi jocilësor shkaktari themelor!

 

Dhuna strukturore është shkaktare e të gjitha të këqijave të këtij vendi. Erih From kishte të drejtë kur thoshte se: ’Njeriu sipas natyrës nuk është as i dhunshëm as agresiv, por i tillë bëhet kur i mungojnë kushtet e caktuara për rritjen dhe zhvillimin e tij”. Kushti themelorë për rritjen dhe zhvillimin e tij janë edukimi dhe arsimi jo cilësor. Edukimi dhe arsimi jo cilësorë jo vetëm që pengon rritën dhe zhvillimin e potencës së individëve që të ndërveprojnë me produktivitet dhe kreativitet në natyrë dhe në shoqëri, por i pa aftëson ata që të plotësojnë nevojat e tyre bazë si janë: ekzistenca; shëndeti, identiteti, liria , barazia dhe drejtësia sociale.

 

Për shkak të edukimit dhe arsimit tmerrësisht jo cilësor ka bërë që qytetarët e Kosovës të mos e kenë ekzistencën, të mos e kenë shëndetin, të kenë identitetin e dyzuar, të jenë ta pabarabartë dhe të diskriminuar si në kohën e okupimit krahasuar me minoritetin serb, të mos jenë të barabartë para ligjit, të mos të ndjehen të lirë, të udhëhiqen nga mendja e pashkolluar; të kenë një qeverisje dhe udhëheqje tmerrësisht të keqe, inferiore e cila është e ndarë nga ata të cilit e kanë zgjedhur; e cila interesat e veta meskine i ka vendosur mbi interesat e shtetit dhe të kombit. Edukimi dhe arsimi jo cilësor ka bërë që në Kosovë grupi i nënshtruar (underdogs) në këtë rast qytetarët shumicë të përjetojë “shfrytëzimin “A” që të jenë aq i diskriminuar sa që mund të vdesin nga uria, sëmundjet dhe epidemitë; si dhe shfrytëzimin “B” të jetë në gjendje të vazhdueshme të mjerimit të pa padëshiruar, që përfshinë keq-shqyerjen, sëmundjet, ndarjet dhe veçimet, margjinalizimet dhe fragmentimet.

 

 

 

Luftimi i varfërisë dhe i papunësisë pa edukim dhe arsim cilësor janë gënjeshtër dhe dyfytyrësi!

 

Deklarimet publike se do të punohet në zhvillimin ekonomik, se do të hapen vende të reja të punës pa transformime të thella të sistemi të tashëm të edukimit dhe të arsimit, nuk është asgjë tjetër pos hedhje pluhur syve para qytetarëve që qe 15 vite pa ndërprerë mashtrohen me premtime boshe dhe bajate. Nuk ka punësim të qytetarëve që nuk janë aftësuar që të nxënë gjatë gjithë jetës, që nuk kanë aftësi të konkurrojnë në tregun global të punës të kontribuojnë zhvillimit të ekonomisë globale. Është e neveritshme kur ata që e dinë fare mirë se në kohën e sotme të globalizmit dhe të kohës postmoderne nuk ka ekonomi dhe korporata nacionale, se sot vendet e punës mund të sigurojnë vetëm që mund të kontribuojnë zhvillimit të ekonomisë globale. Më duhet ta them publikisht se programi i Qeverisë së tashme nuk ka gjasa të hap vende të punës dhe të punësojë të rinjtë të cilit kanë kryer shkolla profesionale të cilët qe 16 vjet, mësimin e kanë përcjell pa asnjë tekst – asnjë libër për lëndët profesionale, kur lëmenjtë mësimor janë formular gabimisht, kur nuk dihen profilet arsimore , kur nuk ka nomenklaturë të profesioneve , kur ISCED i tashëm i Kosovës nuk përputhet me ndryshimet e bëra me ISCED të vitit 2014, kur ligjet e tashme të arsimit janë plotësisht anakronike dhe në kolizion njeri me tjetrin dhe të pa zbatueshëm; njerëz të cilët që 15 vite janë marrë me politika të dështuara zhvillimore, përsëri janë ata që po merren me “reforma “ me do pleq e plaka ndërkombëtare të cilit në koloboracion me mendjen e pashkolluar vendore (që nuk janë të profileve arsimore, që nuk kanë asnjë ditë përvojë në arsim, por që flasin e murmurisin në gjuhën angleze, sepse nuk kanë lidhje me sistemin e edukimit dhe të arsimit të Kosovës), me metodën e kutisë së zezë duke marrë mëditje marramendëse nga taksapaguesit e varfër të Kosovës, i kanë shndërruar fëmijët, nxënësit dhe studentët e Kosovës kavie eksperimentale .

 

Unë duke parë renditjen e prioriteteve të Qeverisë pash edhe kontradiktat e brendshme të cilat do të prodhojnë edhe një dështim dhe një përkeqësim i radhës në Kosovë.

 

Më duhet publikisht ta them se Ligji për Arsimin e Lartë si edhe ligjet e tjera të arsimit nuk do të sjellin dobi duke i ndryshuar dhe plotësuar, sepse dy ligjet bazike të arsimit ( ai parauniversitarë dhe ai i arsimit të lartë) janë hartuar nga një jurist i huaj i cili nuk ka pasur njohuri për kontekstin dhe të cilat ligje i kanë bërë dëme të pariparueshme arsimit të Kosovës duke krijuar mundësi për monopolizime, centralizime enorme të cilat u kanë shkuar përshtati praktikave korruptive, erozionit të moralit, pamundësisë për adresimin e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies.

 

Përfundimisht duhet të bëhet e qartë se tërë kjo tragjedi e këtij populli burimin e ka në edukimin dhe arsimin jocilësorë, nga të cilat kanë derivuar edhe të gjitha udhëheqjet e deritashme të këqija, jo efikase dhe jo efektive.

<< prapa