Kosova më nuk ka kohë për pritje!

14 Shkurt 2015

 

“Të dështosh në planifikim, do të thotë të planifikosh dështimin”. Kosova ka dështuar në planifikim andaj ka planifikuar dështimin. Të shkosh pas ngjarjeve dhe të mos krijosh ngjarje, do të thotë të ecësh pas fatkeqësive, dështimeve dhe të falimentimeve

HALIM HYSENI

Pse u neglizhua paralajmërimi për eksodin?

Kosova nga viti 2000, ka ec pas ngjarjeve deri në shpalljen e Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Pas shpalljes së Pavarësisë vazhdoi avazi i vjetër i ecjes pas ngjarjeve, nëpërkëmbjes së interesave kombëtare, ndërsa lufta për pasurim brenda natës është bërë lajtmotiv i sjelljes dhe i veprimit të pushtetarëve. Sërish në vend të angazhimit për shtet-ndërtim në skenë doli bajraktarizmi provincial dhe partiak . U harruan interesat e shtet-ndërtimit. Në horizont sërish u paraqit inferioriteti kombëtar i lidershipit pa përvojë dhe pa një bazament akademik dhe intelektual. Para dy muajsh pata paralajmëruar me anën e një shkrimi në faqet e kësaj gazete për ikjen e shqiptarëve nga Kosova si nga ferri. Askush nuk reagoi. Ndodhi ajo që nuk është dashur të ndodh. Ndodhi shpërngulja biblike e shqiptarëve të pa shpresë. Mendoj se i adresova edhe fajtorët dhe nxitësit e shpërnguljes. Gjithashtu ftova institucionet, liderët e partive, Akademinë e Shkencës dhe të Arteve të Kosovës, Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, intelektualët që të ngrehin zërin, që qartë dhe shqip t’ua bëjnë me dije qytetarëve se janë të mashtruar nga agjentët e Serbisë, shumica e të cilëve janë shqiptarë gjakprishur të cilit marrin shuma të mëdha mjetesh edhe nga Serbia dhe nga viktimat shqiptare. Askush nuk ia vuri veshin kësaj ftese publike. Bile- bile “liderët” edhe pas kësaj ftese me buzë në gaz, flisnin për arritjet e Kosovës në shtet-ndërtimin, në zhvillimin e demokracisë, në avancimin e sovranitetit i cili për çdo ditë po rrënohet nga ndërhyrjet e Serbisë me mbështetjen e pa kursyer të Brukselit. Kosova dhe shqiptarët u bënë gaz para botës, ndërsa shqiptarët e mashtruar dhe familjarët e tyre përjetuan një dramë të madhe të ngjashme me ato të viteve 1998-1999. AKI-ja punëtorët e të cilës marrin paga të mëdha nga taksapaguesit e varfër, sipas të gjitha gjasave, nuk është marrë me këtë dhe me shumë punë të tjera që lidhen me sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit, sepse po të ishte marrë me këtë punë, ky proces do të parandalohej.

 

Reagimet e presidentes janë post festum!

Reagimet e presidentes, kryeministrit, medieve intelektualeve, është post festum, sepse tani është bërë e qartë për shqiptarët se kjo shpërngulje në kohë ligështie, si thotë i madhi Ismail Kadare, ka qenë biblik, i gabuar, i dëmshëm, pasojat e saj do të jenë të mëdha. Por, ajo që është akoma më keq, që do të shkaktojë dhimbje akoma më të madhe, është kthimi i tyre, në shtëpitë të cilat i kanë shitur dhe nuk i kanë më, kthimi në vendet e punës të cilat i kanë humbur, kthimi në shkollat dhe institucionet në cilat kanë mbetur prapa në mësime, janë traumat dhe Stresi i Çrregullimit Pos Traumatik -SÇPT i një numri tepër të madhe të fëmijëve, të rinjve, të rriturve të moshuarave dhe të moshuarve, janë pasojat shëndetësore për shkak të kushteve nëpër të cilat kanë kaluar. Gjatë takimeve me qytetare, qytetarët haptas treguan se kanë humbur besimin në institucionet e shtetit, se nuk kanë perspektivë, se papunësia e të rinjve është e madhe, se janë të lodhur nga varfëria nga padrejtësitë dhe pabarazitë, nga kolapsi shëndetësor, nga cilësia e ulët e arsimit, etj.

Qasja reaktive dhe inferioriteti kombëtar, pengesa të mëdha në shtet-ndërtimin e Kosovës!

E gjithë kjo që ka ndodh ka mundur të parandalohet sikur institucionet tona të kishin pasur një qasje proaktive, parandaluese. Për fat të keq të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, Kosova si në të kaluarën ashtu edhe sot ka qasje reaktive. Kjo nuk u ka parapri dhe nuk u paraprinë ngjarjeve, nuk krijon ngjarje të reja, por reagon në ngjarje, ecën pas ngjarjeve. Këtë ogur të keq e kam trajtuar edhe në vitin 1992, kur politika shqiptare reagonte pas ngjarjeve dhe të veprimeve të shtetit okupues serb. Në atë kohë, sikurse edhe tani, në shtyp reagova duke kërkuar që arsimin ta marrim në duar tona, të krijojmë ngjarje dhe veprime të reja, që Serbia të merret me ne, e jo ne të merremi me Serbinë dhe me veprimet që ajo i bënte ndaj popullit shqiptar. Në atë kohë u dëgjua zëri im, në dy raste dolën shumë efektive. E para, ishte demonstrata e vitit 1992, me të cilin kërkonim kthimin e nxënësve dhe të studentëve në objektet shkollore. Skenarin për demonstratat e kisha përgatitur unë. Kërkova mbështetje nga LDK-ja që ta mbështesë skenarin. Në lokalet e LDK-së më priti Selatin Novosella, të cilit i pëlqeu skenari. Vepruam sipas tij. Protesta doli shumë e suksesshme sepse ishte masive dhe e qartë në adresimin e aspiratave kombëtare. Ishim të okupuar, por ishim krenar sepse nuk lëshonim pe, nuk e pranonim diskriminimin dhe inferioritetin kombëtar. Në rastin e dytë ishte kërkesa ime që të kthehemi në objektet shkollore. Në mbledhjen e Këshillit Koordinues për Arsim, anëtar i të cilit isha edhe unë, si drejtor i Entit Pedagogjik të Republikës së Kosovës, kërkova që të hartojmë skenarin - strategjinë, taktikën dhe strategjemë për kthim në objekte shkollore. Në mbledhje ishin prezent Prof.dr. Pajazit Nushi, Prof.Dr. Eshref Ademaj, Burhan Kavaja si përfaqësues i Sindikatave. Në mbledhje u vendos që të gjithë në një faqe të paraqesim një koncept letër të nesërmen dhe deri në ora 11 ta dorëzojmë në zyrat e Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar “Naim Frashëri”. Megjithatë, të nesërmen në afatin e paraparë, koncept - letrën e kisha shkruar unë, meqë edhe më parë kisha punuar në te. Atë ditë, Kryesia e LDK-së kishte vendosur që të veprohet sipas koncept letrës edhe pse qesh informuar jo zyrtarisht se kishte pasur mendime të kundërta, sa që njeri kishte thënë: ”Kush është ky i marrë që del me propozime të këtilla”. Nga ajo kohë, nuk patëm ne telashe me Serbinë, por Serbia kishte telashe me ne. Këto raste nuk i përmenda për t’u lavdëruar sepse unë asnjëherë nuk kam folur për veten. Është hera e parë që e pranoj se unë jam autor i projektit shtëpi- shkolla. Këto dy raste i përmenda për të nxjerr përfundimin se Kosova nuk ka kohë më për pritje, e as për lëshim pe, sepse me këtë qasje reaktive të gjitha arritjet e deritashme do zhbëhen. Këtë më së miri e vërteton thënia e Peter Druckerit, i cili pat thënë: “Të dështosh në planifikim, do të thotë ta planifikosh dështimin”. Të shkosh pas ngjarjes dhe të mos krijosh ngjarje të reja, do të thotë të shkosh drejt humbjeve, fatkeqësive dhe të katastrofave. Kosova për fat të keq është duke e ndjekur këtë rrugë.

 

Është inferioritet kur në shtëpi hisenik e bën një armik!

Kosova ka perspektivë vetëm e vetëm nëse qasjen reaktive, reagimin në ngjarje e zëvendëson me qasje proaktive, preventive, parandaluese profilaktike si dhe me rritjen e ndjenjës ë krenarisë dhe të mbrojtjen e nderit kombëtar, përkatësisht të tejkalimit të kompleksit të inferioritetit, i cili për pasojë ka lëshimin pe atje ku nuk duhet lëshuar pe – kur pajtimi arrihet në dëm kombëtar, në dëm të Kosovës dhe në dëm të shumicës së popullsisë. Unë vetë jam ndier i mjerë, kur në TV KLAN në lajmet e mbrëmjes pash raportin lidhur me ndërtimin e Spitalit në një fshat serb në komunën e Artanës, inaugurimin e të cilit e bëri Aleksandër Vuçiq, kryeministër i Republikës së Serbisë, antishqiptar i përbetuar dhe i dëshmuar. Ajo që më befasoi ishte informacioni se objekti ishte bërë me parat e taksapaguesve shqiptarë. Fyerja më e rëndë për të gjithë shqiptarët kudo që janë në botë ishte kur përgjegjësi që merr pagë nga taksapaguesit e varfër të Kosovës, thërret Beogradin për leje për t’u përgjigjur në pyetjet e gazetarit shqiptarë, me çka vërtetohej se me Kosovën nuk udhëheqin organet e zgjedhura të Kosovës, por Qeveria e Beogradit. Është inferioritet total kur Vuçiq vjen në Kosovë dhe thotë se Kosova është djep i Serbisë, e ne heshtim dhe nuk reagojmë. Inferioritet i mjerë është kur Vuçiqi vjen në Kosovë, kur të dojë dhe inauguron spitale – maternitete në vendbanime serbe me 200-300 banorë, ndërsa për shqiptarët e Luginës së Preshevës materniteti nuk u hapet dhe mbetet i mbyllur. Është inferioritet, kur Vuçiqit i lejohet hyrja në Kosovë, e kur këtë pushtetarët tanë nuk mund ta bëjnë në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Është inferioritet kur hisenik në shtëpi tënde e bënë një armik. Është inferioritet kur shumica shtypet nga pakica. Shteti pa dinjitet dhe krenari, qytetarët e vetë i bënë inferiorë, të pavlefshëm, pa dinjitet dhe pa krenari. Liderët inferiorë dhe jo krenar me përkatësinë tyre kombëtare, shtetin e bëjnë pa dinjitet dhe krenari. Shteti pa dinjitet dhe krenari për qytetarët është ferr nga i cili sa më parë duhet ikur. Kjo është arsyeja kryesore pse shqiptarët këmbë e duar janë duke lëshuar Kosovën. Se kjo, katërçipërisht është kështu e vërteton fakti se nga Kosova nuk po shpërngulën serbet, me gjithë ankesat dhe vajtimet e pushtetarëve serbë në organizatat ndërkombëtare duke e përfshirë edhe Kombet e Bashkuar dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Andaj në fund, presidente, kryetar i Kuvendit, kryeministër, deputetë të zgjedhur me votat e qytetarëve të Kosovë, keni kujdes për sjellje, veprime dhe angazhime tuaja. Kthejani dinjitetin dhe krenarinë Kosovës, që qytetarët e saj të ndjehen krenarë, të vlefshëm,të jetojnë në barazi dhe drejtësi, sociale, që të kenë vija perspektive, që jenë të sigurt që secili të ndjehet mirë në lëkurën e tij. Këtë duhet ta bëni menjëherë, meqë Kosova më nuk kohë të pret, sepse po nuk e bëtë këtë, tani as për Ju nuk do të ketë ditë të mira!

 

<< prapa