Ku merren paratë për rritje pagash?

23 Shtator 2012

 

Kryeministri i Kosovës, po përgatitet për zgjedhje dhe premtimi i tij për rritje pagash për mësimdhënësit, është kërkesë për votë dhe fillim të fushatës, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike dhe ata të fushës së arsimit, përderisa mirëpritet nga sindikata e arsimit.

 

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka premtuar se gjatë këtij mandati, do t’i rrisë pagat e mësimdhënësve për 50 për qind. Këtë përqindje të rritjes së pagave, punëtorët e arsimit e kanë gëzuar edhe nga fillimi i vitit të kaluar.

 

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thekson se ka nevojë për rritje pagash dhe përmirësim në këtë sistem, por ai dyshon në përmbushjen e premtimit.

 

“Nevoja për rritje pagash për punëtorët e arsimit mendoj se është e domosdoshme, meqenëse cilësia e arsimit varet nga statusi social dhe material i punëtorëve të arsimit, por kjo rritje më shumë i përngjan një fushate elektorale.Megjithatë, duhet të them se nuk ka ekonomi të zhvilluar pa arsim cilësor dhe nuk ka arsim cilësor pa mësues të paguar mirë”, shprehet Hyseni.

 

Ndërsa, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se premtimet e tilla, rrezikojnë qëndrueshmërinë buxhetore dhe njëherësh po inkurajojnë të rinjtë tjerë që të drejtohen vetëm në sistemin e arsimit, duke i bërë joatraktive profesionet tjera.

 

Ibrahim Rexhepi, drejtor ekzekutiv në Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, (STRAS), premtimet e kryeministrit Thaçi, i quan thirrje për votë. Numri i madh i mësimdhënësve, thotë ai, siguron numër të madh të votave, por rrezikon sistemin buxhetor.

 

“Këtu është shumë e qartë se është çështje votash. Nëse fillon në këtë mënyrë fushata dhe këto premtime bëhen vendime reale, atëherë nga do të sigurohet qëndrueshmëria e buxhetit të shtetit”, thotë Rexhepi.

 

Ai, madje, shpreh shqetësimin se ngritja e pagave vetëm për punëtorët e arsimit, mund të nxisë pakënaqësi te punonjësit tjerë, çka mund të rezultojë edhe me, siç thotë ai, “trazira sociale”.

 

“Problemi tjetër, rritja e pagës brenda një strukture, vetëm për një kategori të të punësuarve, do të krijojë probleme të mëdha strukturore dhe do të nxisë pakënaqësi, dhe revoltë të arsyeshme të një kategorie tjetër të punëtorëve”.

 

“Realisht do të bëhet jo e dëshirueshme puna te profilet tjera. Nuk ka më arsye që dikush të punojë në ekonomi, në ndonjë ndërmarrje prodhuese, por do të mundohet të gjejë vende punë në arsim, ku realisht çdo 2 apo 3 vjet rritja e pagës shkon me 50 për qind”, vlerëson Rexhepi.

 

Por, përfaqësues të mësimdhënësve dëshirojnë që premtimet e kryeministrit Thaçi të bëhen realitet, edhe pse ata thonë se “po i vjen era fushatë”. Ali Shabani, nga Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë, thotë se rritja e pagave ndikon edhe në rritjen cilësisë së arsimit në vend.

 

“I vjen era fushatë, por çdo fushatë që shkon në favor të punëtorëve të arsimit, unë uroj që të ndodhë ashtu. Çdo rritje që shkon në favor të mësimdhënësit, ndikon në përmirësimin e cilësisë në punë dhe standardin e tij”, thotë Shabani.

 

Sistemi parauniversitar në Kosovë numëron rreth 25 mijë mësimdhënës, ndërsa paga bazë në arsimin fillor është 345 euro, kurse në arsimin e mesëm 380 euro. Kësaj shume i shtohet edhe kualifikimi dhe përvoja e punës.

<< prapa