Korrupsion edhe në arsim!

18 Qershor 2011

PRISHTINË - Korrupsioni në Kosovë ka përfshirë edhe sistemin e arsimit. Sipas përfaqësuesve të studentëve dhe organizatave joqeveritare që merren me këtë çështje, korrupsioni në këtë sektor fillon nga institucionet parashkollore, e deri tek universitet. Edhe zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk e kanë mohuar një dukuri të tillë, por sipas tyre, kjo dukuri mbetet e izoluar për shkak se palët nuk paraqesin dëshmi.

 

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, konsideron se korrupsioni në këtë sistem zhvillohet në forma të ndryshme, duke filluar nga punësimi i mësimdhënësve,  regjistrimi i studentëve e deri te blerja e diplomave universitare. “Korrupsionin mund ta gjejmë në procesin e vlerësimit të dijeve, do të thotë  dhënies se parave për të siguruar certifikata, me rastin e pranimit dhe regjistrimit të mësimdhënësve”, thotë Hyseni.

 

Hyseni, po ashtu thotë se korrupsioni në këtë fushë, është faktori kryesor që ka ndikuar në cilësinë e ulët të arsimit. Kjo, sipas tij, nënkupton mundësi për të blerë diplomat, raporton ReL.

 

Se kjo dukuri është e pranishme në Universitetin e Prishtinës, pranojnë edhe përfaqësues të studentëve. Selim Daku, ish kryetar i Parlamentit Studentor, thotë se kanë vërejtur elemente të korrupsionit në këtë institucion, kur studentët u kanë dhënë mito profesorëve për notim më të mirë, apo edhe dhënien e provimit. “Studentët ia ofrojnë për të bërë ndonjë zgjidhje, për të marrë ndonjë vlerësim sa më të mirë, për të kaluar provimin në një lëndë, apo për të përfunduar ndonjë shërbim tjetër i cili i hynë në punë të studentit. Do të thotë, ka disa raste, që ndodhin realisht e më të cilat të gjithë ne ballafaqohemi”, shprehet Daku.

 

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk e mohojnë faktin se korrupsioni është i pranishëm edhe në fushën e arsimit, por që sipas tyre, nuk dihet se në çfarë niveli gjendet. Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të arsimit, thotë se problemi kryesor në këtë sistem është se korrupsioni është i pazbuluar, për faktin se palët nuk paraqesin dëshmi. “Korrupsioni është një e keqe nga e cila asnjë pjesë e shoqërisë nuk është anashkaluar, por në arsim, nuk kemi fakte për këtë, dhe i bëj thirrje të gjithëve që kanë fakte për ndonjë element korruptimi, e që unë besoj se edhe nëse ka, janë raste të izoluara, që ti njoftojnë organet e drejtësisë, e pastaj ne si institucion”, thotë Gjoshi.

 

Megjithatë, Halim Hyseni, kërkon nga institucionet kompetente, që t’i shpallet luftë kësaj dukurie, edhe pse sipas tij, eliminimi i korrupsionit në këtë fushë është një proces i gjatë, i cili kërkon shumë punë dhe angazhime. Ndërsa Ragip Gjoshi, thekson se tashme janë marrë të gjitha masat parandaluese për të evituar këtë dukuri.

 

<< prapa