Zigzaget e arsimit kombëtar shqiptar - Halim Hyseni
07 Dhjetor 2012
Një kohë të gjatë po përpëlitem me dilemën të shkruaj apo të mos shkruaj për krizën e thellë nëpër të cilën po kalon arsimi kombëtar shqiptar në të gjitha trevat etnike, duke përfshirë këtu edhe arsimin në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni , në Preshevë dhe Mal të Zi. Natyrisht këtu duhet përfshirë edhe edukimin patriotik të fëmijëve shqiptarë në diasporë të shpërndarë gjithandej në botë, të cilët për një kohë të shkurtër do të asimilohen dhe do të shkombëtarizohen
Mungesa e standardeve që garantojnë cilësi
Është një kohë e gjatë, që me shkrimet e mia kam bërë përpjekje të ndikoj në krijimin një “metanoie” (është një koncept të cilin e përdor, sot, një ndër ekspertët më të shquar në botë, Peter Senge, që llogaritet edhe ndër GURU – menaxherët më të dalluar në fushën e edukimit dhe të arsimit), një mendësie të re, pa të cilën të gjitha nismat transformuese në fushën e arsimit, paraprakisht janë të dënuara të dështojnë siç kanë dështuar të gjitha përpjekjet dhe nismat “reformuese” të deritashme në të gjitha trevat etnike shqiptare. Jo rrallë, jam ndier keq dhe i zhgënjyer me indiferencën , mospërfilljen, heshtjen e audiencës ndaj shkrimeve të mia kritike. Kjo heshtje më ka bërë që të hamendësohem të shkruaj apo të mos shkruaj. Por ecuria e ngjarjeve në fushën edukimit dhe të arsimit në të gjitha trevat etnike, dita më ditë, po bëhet më rrezikshme dhe më apokaliptike (unë nuk jam defetist e as nuk përhapi defetizëm), sepse institucionet arsimore në të gjitha nivelet nuk kanë etos – moral institucional, nuk janë të organizuara dhe nuk veprojnë mbi bazën e vlerave humane- filantropike dhe kombëtare, por mbi bazën e komercializmit, nepotizmit, gënjeshtrës dhe të mashtrimit. Institucionet edukative dhe arsimore nuk kanë standarde të avancuara me të cilat garantohet cilësia, fuqizimi fizik, mental, emocional dhe social i individëve në mënyrë që ata të aftësohen të përballen me sfidat shekullit XXI, me tregun global të punës. Në mungesë të standardeve që garantojnë cilësi, në mungesë të kritereve për sigurim të vlefshëm të punës në parimin meritës dhe të etosit, sot me institucione udhëheq mendja e pashkolluar, individë me orientime partiake e jo kombëtare, autodidaktë ( njerëz të shkolluar në kurse nuk kanë përvojë pune e asnjë produkt të bërë publik për të dëshmuar kompetencat e tyre ), njerëz që mbushin xhepat me lekë në dëm të ardhmes nacionale të këtij kombi. Sot, në mungesë të standardeve të avancuara, monitorimit, mbikëqyrjes, kontrollit vetë-vlerësimit dhe të vlerësimit nuk ka llogaridhënie, secili bënë çka donë, nuk ka përgjegjësi, andaj është krijuar hapësira për keqpërdorime dhe abuzime më të ndryshme të mundshme, siç janë korrupsioni galopant, ryshfeti, nepotizmi, klientelizmi, vjedhjet edhe atje ku kjo fare nuk guxojnë të ndodhin. Mungesa e standardeve dhe të llogaridhënies kanë ulur cilësinë në institucionet arsimore, sa që sot një diplomë e një kandidati për master është e cilësisë më të ulët se sa një nxënësi të dikurshëm të shkollës normale. Institucionet arsimore në të gjitha trevat etnike lëshojnë diploma pa vlera, bile edhe për ata që fare nuk kanë qenë vijues, shesin provime dhe diploma me çka e atakojnë të ardhmen e kombit dhe të vetë individëve , të cilit gjoja ata i ndihmojnë. Institucionet edukative dhe arsimore janë bërë uzina për prodhimin e analfabetëve funksionalë ( lexo: “shkartit” pedagogjik dhe të mendjes së pashkolluar).
Unë jam i vetëdijshëm se këto vlerësime duken të ashpra, ndoshta edhe të tepërta, por janë reale, të pamohueshme dhe të pakontestueshme.
Këto pohime do të argumentohen katërçipërisht në formën e dromcave duke u nisur nga dilema: A është në krizë arsimimi kombëtar shqiptar ?
Pranimi i krizës është domosdoshmëri për dalje nga kriza
Përgjigjja e qartë dhe e plotë në këtë pyetje, edhe pse shumë e vështirë dhe komplekse është e domosdoshme. Është e domosdoshme, sepse pa kuptuar konceptin e saj ne nuk mund ta dimë se arsimi a është në krizë apo jo? Në anën tjetër, të qenit i vetëdijshëm për ekzistencën e krizës në arsim është e domosdoshme, sepse mospranimi dhe mohimi i krizës pamundëson daljen nga kriza. Mospranimi i krizës, kur arsimi është në krizë, është një lloj, sikurse kur njeriu është i sëmurë, por nuk e pranon sëmundjen, andaj nuk shkon te mjeku, nuk kurohet, prandaj dhe vdes para kohe. E njëjta gjë vlen dhe për krizën në arsim. Për dalje nga kriza patjetër duhet pranuar ekzistencën e krizës. Për këtë arsye, kam vendosur që të vazhdoj me shkrimet kritike edhe pse jam plotësisht i vetëdijshëm se nga shumëkush do të keqkuptohem, nga ndokush do të anatemohem, ndërsa nga elita politike do të konsiderohem si armik. Kjo nuk më shqetëson, sepse, nuk e kam për herë të parë. Elitat politike, si në Kosovë, në Shqipëri dhe në trevat e tjera etnike, nuk e pranojnë krizën , sepse ata më shumë dëshirojnë të qëndrojnë në pushtet për interesa meskine familjare, klanore dhe grupore se sa të garantojnë një mirëqenie dhe një të ardhme të lumtur për bashkëkombësit e tyre. Bazuar në këto premisa, me synim që të nxis debatin në një anë, dhe në anë tjetër, të ftojë elitën politike, që ta pranojë ekzistencën e krizës në arsim, sepse pa pranimin zyrtar të saj, nuk ka dalje nga kriza e thellë, nuk ka ripërtëritje morale të shoqërisë, nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka punësim, nuk ka shtet ligjor, nuk ka drejtësi sociale dhe barazi, nuk ka dinjitet dhe krenari nacionale, nuk ka flakje të inferioritetit të kombit tonë, para kombeve të tjera të zhvilluara dhe të mirëqena. Pranimi i krizës është condition sine qua non për dalje nga kriza e thellë në të cilën është zhytur arsimi kombëtar. Por, pranimi i krizës është vetëm njeri komponent nga shumë komponentë të tjerë, të cilët duhet zbardhur për ta kuptuar thellësinë krizës dhe për të gjetur zgjidhjet dhe daljet nga humnera arsimore nacionale .
Kriza është paaftësi e institucioneve për t’i fuqizuar anëtarët e kombit për t’u përballur me sfidat jetësore
Komponenti tjetër i domosdoshëm për dalje nga kriza është të kuptuarit e konceptit krizë. Fjala krizë, vjen nga fjala greke krizis që do të thotë, kaos, anomali, çakordim, moszgjidhje e suksesshme e kundërshtimeve; moszgjidhje e kundërshtimeve ndërmjet arsimit dhe të faktorëve të tjerë politikë, ekonomikë, shëndetësorë, teknikë dhe teknologjikë. Kriza në arsim do të thotë disbalancë shoqërore- disharmoni shoqërore që është pasojë ndërmjet zhvillimeve të ndryshme në ekonomi, shkencë, teknikë, teknologji, kulturë etj. dhe të zhvillimit të ngadalshëm të arsimit krahasuar me ndryshimet e përgjithshme në shoqëri. Krizë në arsim do të thotë edhe dsikrepancë ndërmjet nevojave arsimore të shoqërisë dhe të individëve (, p.sh. nevojat e mëdha për punësim dhe të papërgatitjes së individëve që të marrin pjesë në tregun e punës). Aspekt tjetër i krizës në arsim që e qartëson këtë koncept janë edhe situatat kur në sistemin e arsimit mbeten format, metodat, mjetet, përmbajtjet, strukturat, raportet, organizimet e vjetruar dhe të tejkaluara, ndërsa në anën tjetër zhvillimi kërkon, ofron dhe krijon mundësi për ndryshime në arsim , të cilat ndryshime nuk akceptohen nga elitat politike, nga shoqëria dhe komiteti arsimor. Kriza arsimore është apo karakterizohet edhe me dallimin e synimeve të proklamuara, në një anë, dhe rezultateve të arritura në praktikë në anën tjetër, përkatësisht ndërmjet asaj të dëshiruar dhe të asaj të realizuar. Në kohën e sotme, në trevat etnike shqiptare, kriza karakterizohet si diskrepancë e madhe ndërmjet numrit të madhe të institucioneve, fëmijëve, nxënësve studentëve dhe të rriturve që dëshirojnë të shkollohen, arsimohen, dhe të aftësohen dhe të pamundësisë së institucioneve arsimore që atyre t’u garantojnë edukim, arsim, dhe aftësim cilësor të cilit shqiptarëve u mundësojnë të përballojë me sukses me sfidat e shekullit XXI, Objektivat Zhvillimore të Mileniumit të Tretë, me tundjet me turbulencat e fuqishme të shkallës IV dhe V në viset e banuara me shqiptarë në nivelin vendor, rajonal dhe global. Thënë në mënyrë të kuptueshme, kriza në arsimin kombëtar shqiptar është paaftësi e institucioneve arsimore në viset shqiptare që t’i fuqizojnë shqiptarët me dije të vlefshme, praktike, me shkathtësi të shekullit XXI , shprehi , aftësi dhe kompetenca të tilla që shqiptarët i bëjë t’i kontribuojnë jo vetëm zhvillimit të ekonomisë nacionale të bazuar në dije, por edhe ekonomisë dhe të kapitalit global të dijeve, teknologjisë dhe të teknikës inovative dhe të shkencës. Arsimi kombëtar shqiptar është në krizë, sepse institucionet edukative, arsimore dhe aftësuese në viset etnike shqiptare, në vend të dijeve të vlefshme të cilat si receta shqiptarët do të duhej t’i bartin më vete, duke i përdorur ato sa herë që ata përballen me sfida, probleme dhe vështirësi, marrin dije teorike, të vjetruara, enciklopedike, të padobishme dhe të papërdorshme për jetën e tyre sot dhe në të ardhmen. Arsimi kombëtar shqiptar është në krizë, sepse e institucionet edukative, arsimore dhe aftësuese nuk zhvillojnë aftësi si dispozita psikofizike, të cilat atyre u mundësojnë kryerjen me sukses të proceseve dhe të veprimeve komplekse të bazuara në teknologji të avancuar.
Të rinjtë tanë i furnizojnë me certifikata dhe diploma, pas të cilave nuk qëndrojnë vlerat
Arsimi kombëtar shqiptar është në krizë, sepse nuk e kanë mësuar dhe, as sot, nuk e mësojnë dhe nuk e dinë historiografinë e tyre të vërtetë, e as të vërtetën për historinë e gjuhës, andaj na është përsëritur dhe edhe sot po na përsëritet historia, vuajtjet, tragjeditë, skamja, mjerimi, dëbimet biblike, rrudhja e territorit, ndarjet etnike në disa shtete. Në mungesë të memories kolektive, njohjes së rrënjëve tona të lashta, ne i kemi përngjarë dhe i ngjasojmë një lisi pa rrënjë, të cilin e rrëzon edhe stuhia më e vogël. Elitat politike shqiptare në Maqedoni e kanë gojën përplot patriotizëm gjatë gjithë kohës ( lexo: që 20 vite ) derisa nxënësit shqiptarë në këto vise mësojnë me tekste të përkthyera nga gjuha maqedonase, me të cilat fyhet kombi shqiptar, gjuha dhe kultura e tyre ( që kjo të mos jetë frazë, argumentet do të paraqiten në vazhdimin e këtij shkrimi). Se arsimi kombëtar është në krizë tregon fakti se institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe të arsimit të lartë në vend të dijeve të vlefshme, zhvillimit të fuqishëm fizik, mental, emocional dhe social, në vend të kompetencave të larta, të rinjtë tanë i furnizojnë me certifikata dhe diploma, pas të cilave nuk qëndrojnë vlerat, nuk qëndrojnë dijet e vlefshme, shkathtësitë, shprehitë, aftësitë dhe kompetencat të cilat të rinjve tanë do t’u mundësonin punësim, mirëqenie, pjesëmarrje aktive në tregun global të punës. Për shkak se arsimi kombëtar është në krizë kafiteritë janë përplot me të rinj të cilat në mungesë të vijave perspektive, bjerrin kot dhe se po të kishin mundësi këmbë e duar do t’i braktisnit trevat e tyre stërgjyshore. Arsimi është në krizë, sepse ekziston një dallim i jashtëzakonshëm ndërmjet ofertës së tregut për punë dhe të kërkesës së të rinjve për punë dhe punësim. Arsimi në trevat etnike shqiptare është në krizë, sepse në të gjitha viset shqiptare, ku më shumë e ku më pak, nuk ka kulturë leximi. Arsimi shqiptar është në krizë, sepse shumica e popullsisë është lidhur me liderë autoritarë të cilët e mbajnë peng fatin e popullit për shkak të interesave meskine, inateve infantile, urisë patologjike për pushtet. Shpresoj se ky pohim është më së i qartë, dhe se është një aksiomë që nuk ka nevojë të vërtetohet , sepse apriori është e vërtetë. Le të reflektojmë vetëm pa pak për luftën politike partiake në Shqipëri, ndërmjet PD-së dhe PS-së, përkatësisht ndërmjet Sali Berishës dhe të Edi Ramës, të cilët interesat e kombit ua kanë nënshtruar interesave e të tyre karrieriste për pushtet. E njëjta gjë po ndodh në Maqedoni, në Preshevë dhe në Mal të Zi.
<< prapa