KOHA DITORE- Halim Hyseni u shkruan studentëve, mos e lëndoni Universitetin!

15 Shtator 2014

 

Në letrën drejtuar përfaqësuesve të Parlamentit Studentor, organizatorëve të protestave, Hyseni shkruan:

“Të nderur studentë-anëtarë të Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina.

Unë jam Halim Hyseni, anëtar i Këshillit Drejtues të këtij Universiteti.

 

Me vëmendje dhe shqetësim gjatë javës së kaluar, pas zgjedhjes së rektorit i kam përcjell opinionet dhe mendimet e ndryshme lidhur me vendimin e Këshillit Drejtues. Jo pak herë jam ndie i fyer dhe i denigruar me deklarata, pankartat dhe vlerësimet e thëna dhe të paqena në disa medie të përditshme të cilat për arsye ose komerciale-sensacionale ose për të realizuar agjendat e tyre meskine politike dhe ekonomike thërrasin në bisedë edhe anëtarin të Këshillit Drejtues i cili për qëllimet e veta të cilat ai vet i di, publikisht deklaron dhe kërcënon me studentë se nuk do të pranojnë vendimin legjitim dhe legal të Këshillit Drejtues.

 

 

Në fillim qe deklaruar se në përzgjedhjen e rektorit ka pasur konflikt interesi. U tha se është kërkuar interpretimi. Unë publikisht pata deklaruar votën time dhe po ashtu, pata deklaruar se nëse konstatohet konflikti i interesit unë do jem ne anën e ligjit, sepse që në ditën e parë anëtarët e KD, e kanë nënshkruar një kod etik se do të zbatojnë ligjin dhe se do të veprojnë dhe punojnë vetëm e vetëm për zhvillimin dhe avancimin e UP.

 

Unë personalisht i kam mbetur besnik dhe edhe sot fuqimisht dhe palëkundur i qëndroj besnik kodit etik të nënshkruar.

Nuk kaloi shumë, Ju të nderuar përfaqësues të PS, sikur e harruat konfliktin interesit dhe deklaruat se zgjedhja e rektorit ka qenë e kundërligjshëm, që nuk qëndron dhe që nuk ka nevojë për interpretim ligjor sepse secili që nuk është analfabet funksional do të këtë mund ta konstatoj, nëse e konsulton Ligjin për Arsimin e lartë se këtu nuk ka pasur shkelje ligjore. Duke u thirr në përzgjedhje jo ligjore ju vendosët trakte ku shkruante “ vendi i krimit” duke pretenduar se zgjedhja është bërë në mënyrë që nuk qëndron.

 

Meqë edhe kjo, tani nuk po del se nuk është e vërtetë, duke mos hequr dorë nga veprimet rrënuese u aktivizuan thashethemet, intrigat duke u thirrur në biseda telefonike, në personalitete të cilat gjoja ndikuan te anëtarët e KD.

Në një televizion u lakuan disa emra të cilët gjoja kanë ndikuar në përzgjedhjen e rektorit të tanishëm.

Unë nuk flas në emër të anëtarëve të tjerë, por flas për veten time. Unë gjatë gjithë jetës sime asnjëherë asnjë kontakt drejtpërdrejte, e as tërthorët nuk e kam pasur me personalitet e përmendura. Sikur unë të mos kisha votuar për rektorin e tashëm, të cilin as që e kam parë nga ajo ditë, e as që e kam dëgjuar, as që mendoj ta vizitoj, por që do të kërkoj edhe nëse nuk mbetem anëtarë i KD, që ai të realizojë platformën e cila garanton nxjerrjen e UP nga çarku vicioz dhe gjendja e katandisur e këtij institucioni, ai nuk do ishte rektor sepse nuk do i kishte pesë vota.

 

Besoj se e keni të qartë se edhe ky atu i juaj nuk qëndron. Është i paqenë!

Ky rektor duhet të lihet i qetë të punojë dhe të jetë peng i fjalëve të thëna në intervistë dhe i platformës së hartuar nga ai, e cila është pjese e arkivit të UP-s.

Të gjitha këto fakte, anëtarë të nderuar të PS, më bëjnë të dyshojë se ju ose jeni në lajthitje të madhe ose jeni shërbim forcave që këtë UP janë duke e shkatërruar për interesa personale, andaj do ishte shumë e dobishme që të angazhoheni për luftimin e korrupsionit, për ripërtëritjen morale të këtij institucioni, t’u ndërpriten kontratat për marrëdhënie të dyfishta të punës punonjëseve të këtij universiteti, t’u ndalen pagat atyre që fare nuk vijnë në universitet e marrin paga; të ndalen veprimet antiligjore, të rriten pritshmëritë, që lëndët të mbahen vetëm nga mësimdhënësit e profilit të duhur dhe që i kanë kompetencat e duhura;që mësimdhënësit të mos mbajnë nga pesë deri në dhjetë lëndë, sepse e kjo është e pamundur të bëhet edhe në klasën parë të shkollës fillore; që të hartohen standardet e pranuara ndërkombëtare që garantojnë cilësi; që në UP, pos punës pedagogjike të bëhet një punë e avancuar shkencore.

 

Anëtarë të nderuar të UP-s, do ishte mirë që ju të angazhoheni për të mbrojtur të drejtat e nëpërkëmbura të studenteve për shkak të mosrespektimit të orarit të ligjëratave, afateve të provimeve, për shkak të nepotizmit etj.

Ju, të nderuar studentë, përfaqësues të PS, do ishte mirë të angazhoheni për ngjalljen e jetës dhe veprimtarisë kulturore, sportive, argëtuese, akademike dhe shkencore të studentëve.

Më duhet t’u them, se UP “Hasan Prishtina “është një ndër vlerat më kulmore të këtij kombi, sepse çdo gjë që ka ndodhur e mirë për këtë komb, fillet i ka në këtë Institucion, andaj të gjithë duhet të kujdesimi për te në mënyrë që ky institucion me interes nacional brenda pesë viteve të rangohet në mesin e 100 universiteteve më të suksesshme botërore!

 

Kjo duhet të jetë, ëndrra e jonë edhe e atyre që e godasin pamëshirshëm këtë institucion për interesa meskine klanore, grupore, partiake dhe klienteliste. Kjo duhet të jetë edhe ëndrra Juaj!

Më në fund, Ju jeni të detyruar si qytetarë dhe akademik të ardhshëm,të respektoni ligjin dhe të mos përpiqeni të faktorizoheni aty ku nuk jeni faktor! – përfundon letra e hapur e Halim Hysenit, drejtuar studentëve protestues.

<< prapa