Për katër muaj shumë ndryshime pozitive
28 Mars 2015Sipas njohësit të fushës së Arsimit, Halim Hyseni, ky studim ka për qëllim t’i konstatojë ndryshimet pozitive që kanë ndodhur nga data e miratimit të Planit Strategjik Zhvillimor të Arsimit Parauniversitar 2014-2018 për Komunën e Shtimes. “Po ashtu ky studim ka për qëllim për ta parë nga afër se a jemi në rrugë të drejt që arsimi parauniversitar i Shtimes të jetë më i avancuari në rajon dhe Shtimja të jetë shtëpi e madhe e të nxënit dhe e krijimit. Për këta katër muaj nga miratimi dhe aplikimi i planit strategjik zhvillimor në Shtime kemi ndryshime pozitive duke filluar me përmirësimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme shkollore, pastaj kemi Shërbimin Pedagogjik dhe Psikologjik më të mirin në Kosovë. Si rezultat pozitiv kemi edhe përmirësimin e strukturës gjinore dhe të moshës te drejtuesit e shkollave etj.”, ka thënë Hyseni.
Ai ka sugjeruar udhëheqësit e Arsimit në Shtime të krijojnë një mendësi e re për ndryshimet që do të ndodhin në arsimin e Shtimes dhe ka kërkuar të ecin më shpejt drejt ndryshimeve. Për transformimin e arsimit të Shtimes, në këtë studim, Hyseni, ka dhënë 45 rekomandime, të cilat siç tha ai duhet t’i realizojmë në periudhën afatshkurtër e disa në periudha më afatgjata.
Ndërkaq, Hajrullah Ademaj, drejtori i Arsimit në Komunën e Shtimes, ka falënderuar udhëheqësit e QAPA-së për këtë Raport-Studimi, i cili do të i ndihmoi këtij sektori për të ecur drejt sukseseve të mëtutjeshme, mirëpo Ademaj, ka treguar se ka pasur disa ngecje në implementimin e Planit Strategjik Zhvillimor të Arsimit Parauniversitar të Shtimes ngase planifikimi buxhetor është bërë para se të hartohet plani në fjalë.
Si rezultat pozitiv, ai ka përmendur punën e psikologëve të angazhuar drejtpërdrejt nëpër shkolla, të cilët deri më tani kanë pasur rreth 1000 takime me nxënës për nevoja të ndryshme. “Një kontribut të veçantë janë duke e dhënë edhe pedagogët, të cilët deri më tani kanë pasur 450 inspektime nëpër orë mësimore. Drejtoria për Arsim ka arritur të ndajë 53 mijë euro për digjitalizimin e shkollave të komunës sonë, ndërkaq procedurat janë në fazën e tenderimit”, ka deklaruar Ademaj. (“Epoka e re” / Agim ADEMI)
<< prapa