NË STUDO TË RTK-së: NAIM ISMAJLI – KRYETAR I SHTIMES & HALIM HYSENI – EKSPERT I ARSIMIT

26 Shtator 2014

Lulzim Sahiti,

Shtime, 26 shtator 2014 – Pamje nga emisioni i sotshëm televiziv “Mëngjesi KOSOVË”, i realizuar në studio të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Në programin e mëngjesit ishin: Naim Ismajli – kryetari i komunës së Shtimes dhe Halim Hyseni – ekspert i arsimit, njëherit drejtor i Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit (QAPA). Në këtë emision u diskutua lidhur me konferencën që do të organizohet nesër me temën: “Ku do të jetë arsimi parauniversitar i Shtimes në vitin 2018?” si dhe për Planin Strategjik të Arsimit

 

Në këtë konferencë, kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli do të ketë në fokus përkrahjen dhe mbështetjen institucionale që do të ketë Plani Strategjik për Zhvillimin e Arsimit Praauniversitar në Komunën e Shtimes 2014-2018. Ndërsa, eksperti i arsimit, njëherit drejtor i Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit, z. Halim Hyseni, do të paraqitet me temën boshtë “Ku do të jetë arsimi i Shtimes në vitin 2018?”. I pranishëm me një fjalim, do të jetë edhe z. Nehat Mustafa, zëvendësministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Ndërkaq, për temën: “Arsimi Parauniversitar në Sektorin Privat” do të flasë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Kolegjit “Mehmet Akif”, dr. Yusuf Karabina. Mandej, do të paraqitet me një fjalim, profesori universitar z. Osman Buleshkaj, me temën: “Roli i drejtorit në zbatimin e Kurrikulës Bërthamë”.

Pas diskutimeve dhe pyetjeve lidhur me referatet e prezantuara do të bëhet hapja e ekspozitës së fotografive për gjendjen e sotshme të arsimit parauniversitar në Shtime dhe dukja e tyre që do të ndodh deri në vitin 2018.

Prej orës 11:40 – 13:05, mësimdhënësit e komunës së Shtimes, që përbëhet nga gjashtë grupe, do të bëjnë prezantimin e punimeve kërkimore – shkencore, me këto tema:

 

“Udhëheqja e shekullit XXI” (Valon Fejzullahu, Jasmina Hysaj, Festim Rexha dhe Burim Bibaj),

“Ndikimi i trajnimeve të mësimdhënësve në mësimdhënie” (Jehona Hysenaj, Shpresa Hajrizi dhe Afërdita Nebiji),

“Studimi krahasimor i mesatareve të nxënësve nga shkolla e mesme e ulët dhe mesatareve e po të njëjtëve nxënës në fund të klasës së dhjetë, Gjimnazi Shkencat Natyrore” (Rexhep Hasani, Ilir Haxhiu, dhe Shpend Qarri),

“Efektet e detyrave të shtëpisë, te nxënësit e klasave të dyta” (Zejnepe Hysenaj, Fitore Xhelili-Haxhiu, Faruk Brahimi dhe Ardiana Reshani),

“Ndikimi i televizionit në agresivitetin e fëmijëve” (Enver Avdiu, Agim Avdiu, Bujar Arifi dhe Hysen Syla) dhe

“Qasja dhe orientimi i drejtë ndaj kompjuterit dhe internetit – Çelës i suksesit në arsim” (Zade Mustafa).

 

Sipas organizatorëve, prej orës 13:10 – 13:20 do të bëhet ndarja e certifikatave për pjesëmarrësit e trajnimit: “Menaxher & lidership të shekullit XXI”, “Trajner për menaxhim & lidership të shekullit XXI” dhe “Trajner të trajnerëve për menaxhim & lidership të shekullit XXI”. Në përfundim të konferencës, gjithashtu nga otganizatori është paraparë edhe një koktej rasti.

<< prapa