SHKOLLA VERORE “BLETA” DO TË SHËRBEN SI MODEL PËR SHKOLLAT E ARDHSHME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
01 Gusht 2015
SHKOLLA VERORE “BLETA” DO TË SHËRBEN SI MODEL PËR SHKOLLAT E ARDHSHME NË REPUBLIKËN E KOSOVËS
Shtime, 1 gusht 2015 – Dje pasdite, oborri i shkollës së Llanishtit ishte pushtuar nga nxënësit e Shkollës Verore “Bleta”, e cila përfundonte aktivitetin e saj dhjetëditor. Në hapësirën e brendshme të shkollës ishin vendosur punimet e nxënësve, që kanë punuar në lëmin e artit figurativ, gjuhës shqipe, matematikës dhe gjuhës angleze. Edhe pse binte shi, nuk e kishte penguar ardhjen e zëvendësministres së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, znj. Anila Statovci – Demaj, e cila shoqërohej nga këshilltari për Arsimin Parauniversitar z. Azem Guri dhe këshilltari për Planifikim dhe Financa, z. Petrit Kelmendi, të cilët së bashku panë nga afër punën dhe aktivitetin e Shkollës Verore “Bleta”. Krahas përfaqësuesve të lartë të MASHT-it, ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës së Shtimes, z. Naim Ismajli së bashku me drejtorë dhe zyrtarë tjerë komunalë.
Herëpashere binte shi, mirëpo Drejtoria Komunale e Arsimit kishte përgatitur tendën ku do të shpalosen sfidat dhe të arriturat e shkollës verore.
Me këtë rast, fjalën e mori i pari i Komunës, z. Naim Ismajli, i cili tha: “Ky është projekt i parë i kësaj natyre që organizohet për shkollat e mesme të ulëta në Republikën e Kosovës. Veç asaj ndihemi më krenar pas asaj që pamë se për 10 ditë, ju me të vërtet jo rastësisht e keni zgjedh emrin shkolla verore “Bleta”. Vërtet puna e juaj gjason në punën e bletës. Rezultatet që pamë na bënë që të ndihemi krenar për ju si nxënës që ju kemi. Dua të falënderoj shumë përkushtimin e mësimdhënësve që keni pas në asistimin e punës tuaj, përkushtimin e tyre. Kjo ka qenë një përvojë e mirë dhe e re për ju, ka qenë një beneficion, ka qenë një fitore për ju sepse jeni nxënësit e parë në Republikën e Kosovës që keni shijuar shkollën verore. Po njëkohësisht ju i keni dhënë shumë shoqërisë, në këtë rast komunës sonë, po njëkohësisht keni vendosur gjurmët edhe për gjithë kolegët dhe shoqërinë e juaj anekënd Kosovës. Aq sa ka qenë angazhim, sakrificë dhe punë e juaj e palodhshme, aq ka qenë një mundësi, një shancë për të testuar vetveten. Sigurisht po ta shtronim një pyetje për ju para se të fillonte shkolla, për 10 ditë cka do të mbërrini të punoni, çfarë rezultate pritni nga vetja e juaj? Jam i bindur shumë se secili kishi me thënë jo më pak se 50 për qindshin që kanë thënë. Do ta kishit thënë nga modestia, do ta kishit thënë nga ajo se jemi në fazat e projektimit të asaj. Po e keni parë se puna e përditshme, asistimi i mësimdhënësve ka zgjuar kreativitetin, i cili ka ekzistuar në kokën tuaj. Realisht, atë që e pamë nga arti, matematika, gjuha dhe letërsia shqipe, gjuha angleze, të gjitha kanë qenë me të vërtet një imagjinatë e juaja, e cila ka qenë e fjetur deri dje, por sot e shkruar në letër. Për gjithë atë pjesë të imagjinatës që nuk e kini pasur të shkruar në letër askush nuk kish ditë, askush nuk kish mundur me lexuar por edhe ju kishi me harruar. Sot, vjen ideja dhe po se shkruajte në letër harrohet. E keni shkruar në letër, kjo jo që do të ju kontribonte juve sepse jeni autorët, por do të kontribon për kolegët tuaj nxënës që të frymëzohen nga këto dhe e di që gjatë gjithë vitit që ju do të takoni kolegët tuaj, keni me komentuar në kohën e lirë përjetimet gjatë shkollës verore. Unë ju përgëzoj për talentin që keni pasur. Ju na keni bërë që të ndihemi krenar dhe të besojmë shumë në ju dhe nga ju që jeni këtu Shtimja do të fiton shumë. Unë besoj që nesër institucionet do të kenë lider, do të kenë udhëheqës të mirë. Falenderim i vecantë për mësimdhënësit dhe për gjithë grupin koordinues të shkollës verore që ju ka mbështetur, falënderojmë profesorin Hyseni, i cili me bashkëpunëtorë ka qenë i pandashëm në asistim, në dhënien e ideve dhe mendimeve”, përfundoi kryetari Ismajli.
Në shenjë falënderimi dhe për punën e çmuar që është bërë në shkollën verore të Shtimes, kishte ardhur edhe zëvendësministrja e Arsimt, znj. Anila Statovci – Demaj, e cila pasi përshëndeti të pranishmit tha: “Kjo është shkollë e parë e llojit të tillë, shkollë verore që është organizuar në Republikën e Kosovës dhe mund të themi ishte jashtëzakonisht e suksesshme. Nxënësit kanë pasur drejtimin e duhur me mësimdhënësit e tyre dhe kanë treguar gatishmërinë që bashkë të krijojnë dicka të përbashkët që është gjithëherë shumë më shumë se vetëm kreativitet individual. Çka më bëri përshtypje shumë është se keni treguar intelegjencën në punimet e ndryshme nga matematika, ku keni vërtetuar edhe në praktikë teorema të ndryshme ose keni zbuluar atje çka është paradoksi. Nga gjuha shqipe keni përshkruar elemente të gjuhës dhe shumë ishte interesant një temë që e pash aty që nuk e diskutuam. “Çfarë do të thoshte jeta po të të dëgjonte?” Ju përgëzoj për këtë temë. Besoj nëse e dëgjojmë jetën çka do të thoshte po të dëgjonte ato janë edhe burim i ëndërrave tuaja dhe i synimeve tuaja në të ardhmen, e që shkollat e llojit të tillë ju mundësojnë që t’i realizoni. Një kreativitet i jashtëzakonshëm dhe shpirtëror i ideve të ndryshme ishte realizuar në punimet e juaja artistike. Me këtë keni treguar sukses shembullor. Pra, kjo është një shkollë shumë e suksesshme, e cila do të na shërbej si model për shkollat e ardhshme verore në Republikën e Kosovës dhe Ministria e Arsimit vetëm do të ju përkrah në aktivitete të tilla në cdo kohë”, theksoi zëvendësministrja Statovci – Demaj.
Po ashtu, një fjalë rasti pati edhe drejtori ekzekutiv i Qendrës për Avancimin e Performancës së Arsimit, z. Halim Hyseni, i cili theksoi: “Shtimja po e shkruan një histori, një histori të suksesit, qëllimi i së cilës është që në vitin 2018-2019 të ketë një arsim parauniversitar më të avancuar në rajon dhe që Shtimja të shndërrohet në një shtëpi të madhe të të nxënit dhe krijimit. Shumëkush mendon se kjo është e parealizueshme. Kjo është një ëndërr, të cilën Komuna e Shtimes e ka vendosur në Planin e Zhvillimit Strategjik. Të gjitha këto të arritura dhe të gjitha këto ide dhe angazhime janë të kryetarit të komunës së Shtimes”, tha në mes tjerash profesori Hyseni.
Në vazhdim për aktivitetet e zhvilluara në lëndën e gjuhës shqipe foli mësimdhënësi, z. Rexhep Hasani, për matematikë, z. Adil Qorrolli, për gjuhë angleze z. Shpresim Ademaj, kurse për art figurativ znj. Vlora Sadiku. Ndërkaq, përmbylljen e krejt këtij aktiviteti e pasuruan nxënësit vijues të kësaj shkolle me programin e tyre artistik.
Organizatori për të gjithë të pranishmit Ishte kujdesur përmes Qendrës Tregtare “Gryka”, që të servonte mish të pjekur në skarë dhe pije të bollshme freskuese. Në përmbyllje të Shkollës Verore “Bleta”, drejtori Komunal i Arsimit, z. Harullah Ademaj dhe koordinatorja e këtij projekti znj. Roberta Barami, kanë dhënë certifikata për vijuesit e kësaj shkolle.
Autor i shkrimit
Lulzim Sahiti
<< prapa