U MIRATU UNANIMISHT PLANI STRATEGJIK I ZHVILLIMIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR PËR KOMUNËN E SHTIMES
29 Tetor 2014
Kryesusi Jakupi, falënderoi kryetarin Ismajli, Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe Qendrën për Avancimin e Performancës së Arsimit, për organizimin e Konferencës me temën “Ku do të jetë arsimi i Shtimes në vitin 2018?”. Në këtë mbledhje Kuvendi ka miratuar dy dokumente të rëndësishme për qytetarët e komunës së Shtimes: Strategjinë e Arsimit Parauniversitar në Komunën e Shtimes dhe Buxhetin Komunal për vitin 2015-2018. Para të pranishmëve për Strategjinë e Arsimit, foli drejtori i QAPA-s, prof. Halim Hyseni, i cili tha se me projektin që është realizuar për ngritjen e performancës së kapaciteteve njerëzore dhe me strategjinë e lartpërmendur, Komuna e Shtimes deri në vitin 2018 do të ketë një arsim shumë më të mirë në rajon dhe cilësor.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Naim Ismajli, ka thënë se gjendjen e arsimit duhet ta ndryshojmë të gjithë së bashku. “E mira e këtij debati është për ta ndryshuar gjendjen e arsimit sepse gjendja nuk është e kënaqshme. Ky plan na obligon të gjithëve nga këshilltarët e KK-së, profesorët, drejtorët e shkollave, por edhe prindërit që të sfidohemi për ta aplikuar dhe ndryshuar për të mirë gjendjen e arsimit sepse ky plan prej 80 për qind është plan që fokuson ndryshimin e njeriut dhe qasjes së njeriut, ndërsa 20 për qind është plan për ndryshimin e strukturës buxhetore”, ka thënë Ismajli. Ai ka sqaruar se nuk do të kërkohet asgjë më shumë nga mësimdhënësi apo nga drejtori i shkollës por vetëm aq sa e përshkruan detyra e tij e punës në këtë plan, andaj siç tha ai mësimdhënësit do të jenë më aktiv që të lexojnë më shumë dhe ta mësojnë më shumë teknologjinë, ndryshe nëse një mësimdhënës nuk aftësohet me trajnime që organizon Komuna atëherë do të largohen nga puna.
Dhe për fund Ismajli ka shtuar se ky Draft-Plani Strategjik për Arsim do të aplikohet dhe nuk do të ketë hapësirë për shqetësime.
Po ashtu, në këtë mbledhje u miratuan edhe dy dokumente tjera, Rregullorja Komunale për Tatimin në Pronën e Paluajtshme si dhe Plani i Punës së Kuvendit për vitin 2015.
Në fund të seancës, kërkesat e parashtruara nga qytetarët e komunës së Shtimes janë shqyrtuar sipas rekomandimit të Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF).